User:Mirlinda bujupaj
A KA JETË NË MARS? Një gjë nuk duhet harruar. Këmba e njeriut akoma nuk ka shkelur sipërfaqen e Marsit. Nga përvoja me satelitin e Tokës – Hënën, e dimë se, në momentin kur njeriu preki sipërfaqen e saj, vetëm atëherë kuptoi se për atë trup qiellor nuk paska ditur gati asgjë. Prandaj, edhe të gjitha dëshmitë, hipotezat ose supozimet rreth jetës në Mars janë vetëm si rezultat i regjistrimeve të bëra nga sondat e ndryshme. Asnjë eksperimentim në këtë drejtim dhe as matje e asnjë strukture, nuk është bërë drejtpërdrejt nga faktori njeri. TEORIA E FILLIMIT TË JETËS
-
Caption1
-
Caption2
Teoria e Kozmologjisë, si model standard për krijimin e “Universit”, e pranon teorinë e “Big Bangut” (plasjes së madhe), me të cilën gjithçka filloi. Mirëpo, nga kjo plasje e madhe, (teoria e së cilës burimin e ka nga pena e autorit, Terry Pratchett, i cili shkruan: “Në fillim ishte hiçi – pastaj ai eksplodoi” dhe e vërtetuar nga “Teoria e relativitetit” të cilën e zbuloi shkencëtari i njohur, Albert Einstein) – a ishte e mundur që jeta me të gjitha format e saj të krijohej vetëm në sistemin tonë diellor, përkatësisht në planetin Tokë? Dihet mirë se në galaktikat e shumta të krijuara nga “Big Bangu” ekzistojnë miliona sisteme diellore me miliarda planetë që lëvizin rreth tyre, prandaj, si është e mundur që në këtë hapësirë të pafund kozmike e të panjohur për ne, të jemi të vetmet krijesa jetësore? Bota jonë, pra Toka, nuk është e izoluar, por pjesë e gjithë asaj strukture komplekse ndërplanetare. Jeta e krijuar këtu, me të vërtetë u ndikua nga shumë faktorë, por këta faktorë ekzistojnë edhe në shumë hapësira kozmike, ku vepron e njëjta forcë dhe i njëjti ligj fizik... Megjithatë, përgjigje të prera e të qarta rreth këtyre pyetjeve, natyrisht se akoma nuk ka, meqë njohuritë të cilat i disponon shkenca e sotme për kozmosin në përgjithësi, janë shumë të cekëta, ndërsa mundësitë për eksplorimin e tij janë minimale.
Por, në të kaluarën, pra në antikitet, këto pyetje ishin të qarta. Popujt e vjetër, pavarësisht se në cilin kontinent jetonin, besonin se në qiellin e yjëzuar jetonin: zotërat, engjëjt, djajtë, dhe në të shumtën e rasteve, edhe shpirtërat e tyre pas vdekjes. Shumë nga këto besime janë trashëguar deri në ditët e sotme, dhe njerëzit edhe sot e kësaj dite, luten me duar të ngritura nga qielli ose në forma tjera, duke iu drejtuar forcave të mbinatyrshme për të cilat besojnë se janë krijues të jetës në Tokë dhe se gjenden atje lart në qiellin e pafund. “Në gjithësi ekzistojnë edhe shumë Diej sikurse yni, të rrethuar nga planetët tjerë që lëvizin rreth tyre, dhe që janë të ngjashëm me Tokën tonë.” Këto fjalë i ka thënë para 400 e sa vjetësh, Giordano Bruno, sipas të cilit gjithësia ishte e pakufishme. Për mendimet e tija përparimtare, që në atë kohë ishin në kundërshtim me dogmat kishtare, ai u dënua nga inkuizicioni me vdekje dhe u dogj për së gjalli në turrë drurësh, në vitin 1600. Me mundësinë e ekzistimit të gjallesave jashtëtokësore, për të cilën ishte i bindur dhe u flijua edhe G. Bruno, shkenca filloi shumë vonë të merrej seriozisht, por akoma pa ndonjë rezultat konkret. Megjithatë, njohuritë aktuale shkencore nuk përjashtojnë mundësinë e jetës, në ndonjë formë tjetër, jashtë planetit tonë. Pamundësia e njeriut për hulumtime në sistemet e shumta diellore, e të mos flasim për hulumtime në galaktikat tjera, kufizohet në planetët e sistemit tonë diellor. Supozohet se forma të ndryshme primitive të jetës mund të ketë në disa planetë: si në atmosferën e planetit të Venerës, në hënën e Saturnit – Titanin, në hënën e Jupiterit – Europa, e sidomos në planetin e kuq, Marsin. Zbulimet e sasive të ujit të ngrirë në këtë planet nga sondat e fundit, thellojë edhe më shumë bindjen se atje akoma mund të ekzistojnë forma të ndryshme jete, duke u bazuar në ligjet themelore të natyrës në Tokë, se ku ka ujë, ka edhe jetë! Supozimet për praninë e jetës në Mars datojnë qysh para më se 150 vjetësh, kur astronomi italian, Schiaparelli, zbuloi kanalet e Marsit. Me 1877, kur Schiaparelli publikoi hartën e Marsit, shumë shkencëtarë krijuan mendimin se kanalet janë krijesa artificiale të ndërtuara nga njerëzit e atjeshëm dhe shfrytëzoheshin si sisteme ujitëse, përmes të cilave bëhej bartja e ujit nga kësulat polare në fushat e thata të sipërfaqes së Marsit. Këto teza dështuan në vitin 1964, kur sonda amerikane Mariner 4 dërgoi për në Tokë fotografitë e sipërfaqes së Marsit, në të cilat nuk vëreheshin askund kanalet e tilla.
Harta e kanaleve të Marsit e krijuar nga Schiaparelli mes viteve 1883-84
GJURMËT E JETËS NË GURIN NGA MARSI 20 vjet më vonë, një gur i vogël që peshonte më pak se dy kilogramë, ndryshoi mendimin e shumë shkencëtarëve dhe hapi horizonte të reja për hulumtimin e jetës në planetin Mars. Ky meteorit, që u zbulua nga Dr. Roberta Score dhe kolegët e tij nga National Science Foundation, më 27 dhjetor të vitit 1984, gjatë një ekspedite shkencore në Antarktik, për të cilin supozohej se ka rënë në Tokë para 13 mijë vjetësh nga planeti i Marsit, nuk përmbante vetëm mikrobe, por edhe një mesazh të fuqishëm: ne nuk jemi të vetmit! Pra, ekziston jetë edhe në Mars, ndoshta edhe në planetët e sistemeve tjera diellore, larg, shumë larg nga galaktika jonë “Rruga e Qumështit”.
Shkencëtarët ia dhanë emrin, ose më mirë të thuhet një numër regjistri si ALH84001, sipas emërtimit të vendit ku u gjet meteoriti – Alen Hills, sipas vitit të gjetjes – 1984 dhe, pasi ky ishte guri i parë i gjetur që i takonte Marsit, iu shtua edhe shifra – 001. Sipas shkencëtarëve, ky meteorit duhej të ishte i vjetër rreth 4 miliardë vjet. Supozohet se nga ndonjë erupsion i tmerrshëm ose nga goditja e ndonjë meteoriti gjigant që ka ndodhur para disa miliona vitesh në Mars, ku një numër i madh gurësh është shkëputur nga sipërfaqja e Marsit dhe kanë lëvizur nëpër gjithësi, është edhe ky meteorit. Meteoriti, pas rrugëtimit të tij nëpër gjithësi, më në fund, pas disa miliona vitesh, ka rënë në Tokë.
Meteoriti ALH84001 Gjithashtu, supozohet se ky meteorit është pjesë e brendshme e kores së sipërfaqes dhe i takon kohës kur Marsi ka qenë më i nxehtë dhe me i lagësht. Këtë e vërteton, në konferencën e parë për shtyp lidhur me këtë meteorit, që u mbajt 12 vjet më vonë, më 17 gusht 1996, edhe shefi i NASA-s, Daniel Goldin. Ai thotë se pas formimit të këtij guri, në të çarat e tij ka hyrë ujë dhe ka llurbëtuar përbërjen e karbonateve. Në formimin e karbonateve kanë mundur të jenë të kyçur edhe organizmat e gjallë. U deshën 12 vjet punë për ta identifikuar saktësinë e prejardhjes së këtij meteoriti dhe studiuar përmbajtjen e tij të brendshme. Në NASA vërtetojnë se brenda karbonateve të këtij guri kanë gjetur minerale të lidhura me organizmat mikroskopikë, disa molekula organike të ashtuquajtura: hidrokarbur aromatik policiklor (HAP), si dhe disa struktura të rralla njëtrajtësore, pak si të gjata, të cilat kanë ngjashmëri me bakteriet në Tokë.
Meteoriti ALH84001 nën thjerrën e mikroskopëve elektronikë Këto studime që ishin paraparë të botoheshin më 16 gusht 1996, në revistën shkencore “Science”, u konfirmuan nga vetë shefi i NASA-s, D. Goldin, edhe presidenti i atëhershëm, Bill Clinton, që pas disa vitesh do të jetë edhe miku më i madh i popullit tonë.
Clinton shënon disa rreshta të cilët dy javë më vonë, në konferencën e lartpërmendur të shtypit, me 17 gusht 1996, ku u bë prezantimi i rezultateve, do të trenasmetohen nga shumë mediume: “Sot na flet neve guri 84001 për të gjitha ato miliarda vite dhe miliona kilometra. Ai na flet për mundësitë e jetës. Nëse këto zbulime vërtetohen, atëherë padyshim, ky do të jetë një vështrim i mahnitshëm mbi universin që shkenca ka mundur ndonjëherë ta nxjerrë në dritë. Megjithëse ky zbulim na premton përgjigje në pyetjen tonë më të vjetër, ai gjithashtu hap mundësinë e pyetjeve të reja, edhe më fundamentale. Ne do të vazhdojmë të dëgjojmë me kujdes se çfarë ka për të na thënë ky gur, pra, si t’i vijojmë kërkimet, si t’i përgjigjemi atij. Te këto gjëra kemi të bëjmë me pyetjet që janë të vjetra sa edhe vetë njerëzimi, por në të njëjtën mënyrë edhe shumë domethënëse për ardhmërinë tonë”. Bërthama e hulumtimeve të këtij meteoriti ishte minerali i magnetitit, që është shumë i pranishëm edhe në Tokë. Ky mineral, që zakonisht krijohet tek proceset inorganike, u zbulua me ndihmën e mikroskopëve elektronikë në disa shirita skajorë në brendi të karbonateve. Bakteriet e magnetitit zakonisht janë të pranishme në vendet ujore dhe një grup i përcaktuar i tyre, krijojnë në qelizat e veta një zinxhir prej rreth 12 kristaleve të një madhësie prej 30-120 nanometra. Faktet, se Marsi dikur ka poseduar fushë magnetike, që e dëshmuan të dhënat e regjistruara nga sonda Mars Global Surveyor, përkojnë me atë se atje ka pasur edhe bakterie që kanë mundur ta krijojnë atë material magnetik. Gjithashtu, prania e akullit në bashkëveprim me atmosferën, që është mjaft e pasur me dioksid karboni, ka mundur të krijojë predispozita të nevojshme për zhvillimin e mikrobeve të ngjashme me fosilet e gjetura në gurin ALH84001. Thomas Keprta thotë: “Ne besojmë, sipas hulumtimeve më të reja, se magnetiti në gurin ALH84001 më së miri mund të sqarohet si një përzierje e proceseve biologjike dhe inorganike, që kanë qenë aktive më herët në Mars.” Ndërsa anëtari tjetër i grupit për hulumtimin e meteoritit, Simon Clemett, mendon: “Hipoteza jonë më e mirë është ajo se Marsi i dikurshëm ka mundësuar krijimin e bakterieve të cilat kanë shumë veti të përbashkëta me bakteriet e magnetitit të Tokës, sidomos me grupin MV-1.”
Embrionet e bakteries “Bacillus subtilis” Bakteriet e zbuluara në luginat e Antraktikut
Por, lind pyetja: a mund të përballojnë mikroorganizmat një udhëtim aq të gjatë nëpër gjithësi? Për skeptikët kjo është e pamundur, mirëpo eksperimentet shkencore pohojnë një gjë të tillë. Eksperimentet e bëra në Qendrën Gjermane të Fluturimeve Kozmike vërtetojnë se edhe meteoritët vetëm prej disa centimetrash iu ofrojnë bakterieve embrionale mbrojtje të mjaftueshme për ta përballuar një distancë si ajo mes Marsit dhe Tokës. Për t’i hulumtuar veprimet e rrezeve ultraviolete të Diellit, prof. G. Horneck me ekipin e tij nga Instituti për biologji rrezatuese, eksperimentoi me 50 milionë embrione të bakteries “Bacillus subtilis”. Në gjendje të pambrojtur u shkatërruan të gjitha embrionet, mirëpo me një mbrojtje, si: argjilë, gurë ranor ose me materiale simuluese të sipërfaqes së Marsit dhe të formësuara si sferë, mbijetuan rreth 10.000 deri në 100.000 embrione të kësaj bakterie, ndërsa ato të mbrojtura me gur ranor, mbijetuan gati të gjitha. Gjithashtu, një ekip i përbashkët nga Amerika, Kanada dhe Zelanda e Re, zbuluan në sipërfaqen e Antraktikut mikroorganizma që i përballonin thatësisë dhe temperaturave ekstreme prej -35ºC, pra në kushte që janë të ngjashme me ato të Marsit. Shënimet për këtë zbulim, ata i botuan në revistën shkencore, “Icarus”. Jo vetëm në temperaturat ekstreme të ulëta, por, mikroorganizmat u zbuluan edhe në temperaturat ekstreme të larta. Mikrobiologu, Derek Lovley, me një grup biologësh nga Universiteti i Massachusettsit, zbuluan tek një burim i vjetër vullkanor, në kodrinat e Beverheadit, në shtetin e Idahos në SHBA, një koloni mikroorganizmash të ashtuquajtura “Archaea – Organizma”, me një formë të panjohur dhe plotësisht tjetër nga sistemet mikrobiologjike të njohura deri atëherë në Tokë. Këta mikroorganizma u zbuluan në një thellësi ujore prej 200 m dhe mbijetonin pa dritën e Diellit, pa oksigjen dhe pa ndonjë substancë organike në ujin e ngrohë që kishte një temperaturë prej +60ºC. Energjinë e tyre ata e thithin nga hidrogjeni dhe supozohet se janë krijuar para disa miliona vitesh, duke mbijetuar me sukses në ato rrethana ekstreme. Të dhënat të detajuara për këtë zbulim u publikuan më 17 janar të vitit 2002 në revistën “Nature”.
Mikroorganizmat “Archaea” të zbuluar në burimet vullkanike të Parkut nacional, “Yellowstone”
Këto zbulime dëshmojnë edhe njëherë bindshëm për aftësinë e përshtatshmërisë së formave të ndryshme të organizmave edhe në kushte dhe rrethana nga më ekstremet, me çka edhe i shtojnë shpresat për ekzistencën e jetës edhe jashtë planetit tonë.
OPTIMIZËM REAL APO TEORI BIZARE
Një gjë nuk duhet harruar. Këmba e njeriut akoma nuk ka shkelur sipërfaqen e Marsit. Nga përvoja me satelitin e Tokës – Hënën, e dimë se, në momentin kur njeriu preki sipërfaqen e saj, vetëm atëherë kuptoi se për atë trup qiellor nuk paska ditur gati asgjë. Prandaj, edhe të gjitha dëshmitë, hipotezat ose supozimet rreth jetës në Mars janë vetëm si rezultat i regjistrimeve të bëra nga sondat e ndryshme. Asnjë eksperimentim në këtë drejtim dhe as matje e asnjë strukture, nuk është bërë drejtpërdrejt nga faktori njeri. Përvojat nga shembujt e ndryshëm matematikorë na kanë dëshmuar se vetëm disa milimetra devijim në projektim, mund ta deformojnë gjithë konstruksionin, që në praktikë do thotë: pasoja fatale për objektin. Eksperimentet e bëra nga aparaturat e sondave të ndryshme i kanë ofruar njeriut mjaft njohuri të reja për planetin tonë fqinjë, Marsin. Megjithatë, faktorët e shumtë, si: ai mendor, fizik, teknik, hapësinor, e sidomos largësia disa qindra milionë km, pamundëson për momentin hulumtimin e plotë të tij dhe zgjidhjen e enigmave të shumta që mbizotërojnë për të, që nga e kaluara e largët e deri në ditët tona. Qeveritë e shteteve të ndryshme, sidomos ajo amerikane dhe ato evropiane, po investojnë gjithnjë e më shumë në lëmin e kozmologjisë, duke i motivuar shkencëtarët për hulumtime të mëtejme dhe zbulime të reja. Shkencëtarët janë optimistë se hulumtimet më të thella, do ta pasurojnë edhe më shkencën e kozmologjisë dhe do të na mundësojnë, jo vetëm njohje më të mirë të vetvetes, por edhe të rrethit ku është i pozicionuar planeti dhe sistemi ynë diellor. Sipas të dhënave shkencore, të cilat bazohen në ligjet vepruese të fizikës dhe kimisë, e që janë të njëjta në gjithë hapësirën interplanetare, është absurd të mendohet se ne jemi të vetmet gjallesa në këtë pafundësi. Prandaj, sa më thellë që futet shkenca në këto fusha shumë pak të njohura, aq më shumë zgjerohen edhe spekulimet rreth tyre. Çdo hap i bërë në këtë drejtim, parashtron një pyetje më shumë, prej së cilës lindin dhjetëra përgjigje, qoftë reale qoftë iluzore. Rasti më konkret është ai i ekzistimit të ujit në planetin Mars. Siç e kemi cekur edhe më lart, në mungesë të shumë faktorëve, shumica e hulumtimeve, jo vetëm në planetin Mars, por përgjithësisht në këtë drejtim, bazohen vetëm në llogaritje, teori, supozime ose fantazi, dhe natyrisht që provokojnë efekte kontraverse. Edhe pse Marsi, pas Venerës, është planeti më i afërt yni, me gjithë investimet e shumta kohore e materiale, eksplorimi i tij nga njeriu mbetet akoma shumë i cekët, e të mos flasim për planetët tjerë ose për galaktikat e ndryshme në gjithësinë e pafund, që për mendjen njerëzore, edhe sot e kësaj dite mbeten vetëm përfytyrime perceptive, për të mos thënë imagjinatë fiktive. Dhe natyrisht, në rrethana të tilla vështirë mund të bëhet tërheqja e paraleles reale. Prandaj, edhe pyetja – se a ka jetë në Mars – që për disa është optimizëm real, ndërsa për të tjerët, vetëm një teori bizare, duket se do të mbetet gjatë pa përgjigje faktike.
Fotografi tjetër, mjaft interesante, është edhe ajo që u regjistrua nga kamerat e sondës Mars Global Surveyor, më 26 nëntor 1999. Kjo fotografi u publikua më 14 shkurt të vitit 2000, si lidhshmëri me ditën e të dashuruarve – Shën Valentinin, pasi pjesa që shihej në të kishte formën e zemrës.